“Gjatë vlerësimit ndjekim një proces të rreptë pikëzimi, udhëzime strikte, vlerësojmë formimin profesional, kontekstin, reputacionin dhe mund të them se ka shumë projekte të mira në çdo thirrje. Fatkeqësisht, nuk ka fonde të mjaftueshme për të mbështetur të gjithë. Ne vlerësojmë individualisht, më vonë i bashkojmë pikët, diskutojmë projektet, janë të gjithë persona të pavarur dhe jam i sigurt se notat tona do të kalojnë mbikëqyrjen. Tha Marvin Liao, kryetar i Komitetit të Miratimit të Investimeve (CCI), duke shpjeguar procesin me të cilin janë marrë vendimet e financimit të kompanive në thirrjen publike Startup 3.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën e sotme për shtyp të organizuar nga FIZHT, Liao shtoi: “Inovacioni nuk ka të bëjë vetëm me teknologjinë, por duhet të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve. Dua të flas për vetë procesin, jo për secilin projekt veç e veç”.
Gunter Fellinger, i cili është një nga anëtarët e KMI-së, shpjegoi se në kohë krize për shkak të pandemisë me Covid-19, është shumë e rëndësishme të mbështeten kompanitë në vend, jo vetëm digjitale, por edhe kompanitë që merren me bujqësi, përpunim metali, industri dhe të ngjashme. “Në kohë krize, është veçanërisht e rëndësishme të mbështeten të gjitha këto kompani për të siguruar që ato të mbijetojnë në treg dhe se ato vazhdojnë të rriten dhe zhvillohen. Kjo është pikërisht mënyra se si unë e shoh rolin tonë këtu”.
Fellinger shtoi se parimi i vendimmarrjes është gjithashtu i rëndësishëm. “Në këtë proces është shumë e rëndësishme të merret parasysh mundësia e zhvillimit teknologjik, ndikimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të punës. “Ne marrim projekte fantastike inovative, por ndikimi i tyre, nëse krijojnë vende të reja pune në vend, potenciali i eksportit dhe të gjitha këto, është shumë domethënës, merret parasysh dhe është fokusi i vlerësimit.
Në konferencën për media, drejtori i FIZHT-it, Kosta Petrov përkujtoi se analizat tregojnë se efektin më të madh të mbështetjes së Fondit e kanë startup-et, gjegjësisht startup-et një vit para financimit dhe dy vjet pas financimit kanë një rritje prej mbi 197%.
Përveç Liao dhe Fellinger, komiteti mbikëqyret nga ekspertët ndërkombëtarë Vibu Sharma, Noel Gregor Peterson-Jones dhe Asher Siddiqui.
Presidenti i KMI-së Marvin Liao ka qenë një ish-CEO i “Yahoo”, për më shumë se një dekadë. Ai është një ish-partner i 500 Startups dhe Business Angel me mbi 19 vjet përvojë në kapitale sipërmarrëse, biznese teknologjike dhe startup-e. Marvin ka investuar në 500 startup që nga viti 2014. Asher Siddiqui ka mbi 20 vjet përvojë në zhvillimin e korporatave, me marrëveshje të realizuara me vlerë rreth 8 miliardë dollarë amerikanë. Ai ishte gjithashtu pjesë e “500 startup-e” në Shtetet e Bashkuara, por edhe pjesë e ekipit drejtues që drejtoi transformimin e “Etisalat” në Emiratet e Bashkuara Arabe. Asher Siddiqui filloi karrierën e tij si sipërmarrës në Britani dhe Shtetet e Bashkuara në fund të viteve 1990. Anëtari i tretë i KMI-së, Gunter Fellinger është Sekretar i Përgjithshëm i EQL BC – Austri. Për 28 vitet e fundit, Gunther ka udhëtuar dhe ka kontribuar në transformimin e sektorit të biznesit në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe është njohës i mirë i ekonomive dhe sfidave të sipërmarrësve të rinj dhe bizneseve të reja në rajon. Dr. Vibu Sharma është një strateg me përvojë i inovacionit të biznesit. Ai ka një përvojë shumëvjeçare në inovacion, lançimin e produkteve të reja, ka disa patenta dhe është autor i Springer, Nju Jork. Patterson-Jones është një anëtar i Bordit këshilldhënës të Koalicionit për Kapitalin e Gjelbër, i cili është një koleksion i bankave sovrane ndërkombëtare të gjelbra, një anëtar ndërkombëtar i Fondit Strategjik Europian të Investimeve (ESFI), një këshilltar special i Bankës Botërore për Programin e obligacioneve të Ugandës, si dhe Fondit të Pensionit Kenyan.