Fondi për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik (FIZHT) dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) nënshkruan sot një memorandum të ri mirëkuptimi për të vazhduar me storjen e suksesit të UPSHIFT deri në fund të vitit 2025. Të dyja organizatat janë të përkushtuara të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje për sipërmarrësinë sociale të të rinjve përmes programit UPSHIFT.
Programi UPSHIFT i angazhon të rinjtë nga mosha 13 deri në atë 19 vjeçare për të hartuar zgjidhje inovative mbi një problem të caktuar social, të cilin ata kanë identifikuar në komunitetin e tyre. Në gjashtë ciklet e fundit të UPSHIFT, rreth 300 të rinj morën pjesë në programet e dedikuara për zgjidhjet e ndryshimeve klimatike. Tridhjetë zgjidhjeve iu ndanë fonde fillestare, me çka edhe i zbatuan idetë e tyre në praktikë. Midis tyre janë zgjidhjet inovative si sistemi i grumbullimit dhe shpërndarjes së ujërave të shiut dhe sistem pikë-pas-pike për shkollën e mesme bujqësore në Shkup.
Programi synon ta nxisë mendimin inovativ dhe krijues tek të rinjtë, që t’i kuptojë sfidat me të cilat përballen dhe t’i ndihmojë ata të hartojnë zgjidhje inovative në formën e një produkti ose shërbimi. Gjithashtu, të rinjve u jepet mundësia të zhvillojnë aftësi sipërmarrëse, si: menaxhimi i projektit, të menduarit kritik, puna në grup, komunikimi i suksesshëm si dhe të krijojnë miqësi të reja.
“Së bashku me UNICEF-in, e ndajmë një vizion të përbashkët, që nënkupton mbështetjen e kreativitetit, inovacionit dhe përmirësimit të aftësive të të rinjve, duke krijuar kështu një të ardhme të begatë për të rinjtë në vendin tonë. Në kuadër të punës së tij, Fondi e thekson mbështetjen e programeve të dëshmuara si më të suksesshme, që e inkurajojnë potencialin e të rinjve në kuadër të programit gjithëpërfshirës nacional “Fondi për mendjet e reja”, me të cilin u mundësojmë të rinjve të marrin pjesë në programe stimuluese intelektuale jashtë arsimit formal, siç janë “Sfida për studiuesit e rinj”, “Junior Achievement” e të tjera”, tha Festim Halili, drejtor i Fondit për Inovacione dhe Zhvillimit Teknologjik.
Gjatë tre viteve të ardhshme, bashkëpunimi do të vazhdojë me fokus në inovacionin social mbi sfidat mjedisore dhe klimatike. Ky është një kontribut i drejtpërdrejtë drejt zbatimit të zotimeve të OKB-së dhe BE-së dhe Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Ciklet UPSHIFT do të mbulojnë fusha si ndryshimet klimatike, energjinë, dekarbonizimin, rinovimin e ekosistemeve, sistemet e qëndrueshme të ushqimit, ekonominë rrethore dhe të tjera.
“Gjatë tre viteve të fundit, programi UPSHIFT ishte një katalizator për potencialin e mahnitshëm të të rinjve për t’i identifikuar dhe trajtuar sfidat mjedisore në komunitetet e tyre. Qindra të rinj sollën në jetë zgjidhje vërtet inovative dhe po aq të rëndësishme. Ata u dëshmuan si liderë në veprimet që duhet t’i ndërmarrim për t’i lehtësuar cenueshmëritë ndaj ndryshimeve klimatike. Jemi të lumtur që së bashku me FITD mund të vazhdojmë të krijojmë mundësi të tilla për inovatorët e rinj në vend.” tha Patricia Di Xhovani, përfaqësuese e UNICEF-it.
Programi UPSHIFT i kombinon punëtoritë e inovacionit social me mentorimin, materialet dhe financimin fillestar, duke i pajisur të rinjtë me aftësi. Fillon me një thirrje lokale për grupe nismëtare të moshës 13-19-vjeçare për të hartuar një zgjidhje inovative mbi një problem social, të cilin ata e kanë identifikuar në komunitetin e tyre. Një panel përfaqësuesish të sektorit privat dhe publik i zgjedh idetë më të mira, pastaj ekipet udhëhiqen nga një mentor dhe marrin pjesë në një seminar për ta skicuar dhe përgatitur dizajnin e tyre dhe për t’i zhvilluar idetë e tyre. Programi, përmes zgjidhjeve të krijuara, është në dobi të të rinjve, por edhe të komunitetit të gjerë.