10 vjet - Fondi për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik

Fondi për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik ka shënuar sot në një ngjarje solemne dhjetëvjetorin e themelimit të këtij institucioni. Si institucioni kryesor qeveritar për mbështetjen e inovacionit dhe zhvillimit teknologjik në vend, FIZHT synon të sigurojë akses më të mirë në burimet financiare për të gjithë sipërmarrësit, kompanitë e reja dhe të gjitha ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme që kanë ambicie për rritje dhe zhvillim.

 

Në kuadër të manifestimit, drejtori i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik, Festim Halili, theksoi se është krenar që udhëheq një institucion që ofron mbështetje për të gjithë personat kreativë dhe të rinjtë që kanë idenë e tyre të biznesit, dhe kjo dëshmohet me faktin se FIZHT numëron sot në portofolin e tij gjithsej 1100 projekte të mbështetura me një vlerë totale investimi prej 138 milionë eurosh. Me këtë, FIZHT tregoi se është një partner i vërtetë i të gjithë të rinjve kreativë dhe inovativë, kompanive të reja, kompanive start-up dhe spin-off, por edhe të gjitha kompanive mikro, të vogla dhe të mesme që kanë ambicie për rritjen e tyre dhe zhvillimin. Qëllimi i FIZHT është të mundësojë qasje më të lehtë në financa për zhvillimin e inovacioneve dhe zhvillimit teknologjik dhe t’u japë sipërmarrësve vendor një shans për të realizuar idetë e tyre të biznesit dhe zgjidhjet kreative.

“Gjatë kësaj periudhe jemi kujdesur që në vendin tonë të ketë sipërmarrës që mendojnë “jashtë kutisë”, të hapur ndaj risive dhe ndryshimeve. Këtyre kompanive që drejtohen nga sipërmarrës të guximshëm, dua t’u përcjell se puna dhe vizioni juaj bëjnë ndryshimin, ju po krijoni një të ardhme plot ndryshime pozitive. Vizioni juaj i suksesit na motivon të ofrojmë kanale të reja për financimin e ekosistemit inovativ në vend, pikërisht për këtë kemi punuar gjatë periudhës së kaluar, projekti IPA “Green Business Facility”, akreditimi në Fondin e Klimës së Gjelbër, Projekti evropian “Politic Answer” janë vetëm disa nga aktivitetet që ne i ndërmarrim për të mbështetur ekosistemin vendor”, theksoi Halili në fjalimin e tij.

 

Komisioni për Miratimin e Investimeve (COI) është një organ i pavarur, i cili është përgjegjës për marrjen e vendimeve për financimin e projekteve të propozuara, i përbërë nga pesë ekspertë të huaj në punën e tyre. Kryetari i Komisionit, Marvin Liao shprehu kënaqësinë e tij për punën me FIZHT si dhe për projektet novatore që mbërrijnë për vlerësim. “Si Komisioni për miratimin e investimeve, duhet të shprehim kënaqësinë tonë për cilësinë e projekteve që arrijnë në Fond, sepse kjo dëshmon kapacitetin inovativ të bizneseve të reja në Maqedoninë e Veriut. Jemi të bindur se FIZHT luan një rol kyç në zhvillimin e ekosistemit të inovacionit përmes të cilit krijohen vende të reja pune, produkte të reja inovative dhe një ekonomi konkurruese jo vetëm në vend, por edhe në tregjet globale”, tha Marvin Liao.

 

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, në fjalën e tij, uroi 10-vjetorin e themelimit të Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik dhe tha se për përvjetorë të tillë duhet të kujtojmë se ku ishim si vend në sferën e mbështetjes për zhvillimin e kompanive dhe ku jemi tani. “Duke parë shifrat e kompanive të mbështetura në 10 vitet e fundit, shihet qartë vizioni i qeverisë për mbështetjen e biznesit dhe zhvillimin e kompanive. Ajo që tregon llojin e kompanive që mbështeten është se ne jemi shumë të përkushtuar për të mbështetur gratë sipërmarrëse të cilave u jepet mundësia të kenë të njëjtat kushte për zhvillimin e kompanive dhe së dyti mbështetja për të rinjtë që janë shumë të rëndësishëm në zhvillimin e ekonominë”, tha ministri Bekteshi dhe shtoi se Fondi për Inovacion, përmes thirrjeve të tij, u jep mundësi të gjithë të rinjve në vend, ndryshe nga dikur kur ia dolën mbanë vetëm fëmijët që ishin bij e bija të të ashtuquajturve oligark. “I japim mundësinë të gjithë të rinjve në vend që të jenë të barabartë dhe të konkurrojnë me risitë dhe teknologjitë e tyre me të gjitha kompanitë vendase dhe të huaja, kështu do të vazhdojmë”, tha ministri Bekteshi.

 

FIZHT ka investuar mbi 86 milionë euro në ekonominë vendore dhe përmes instrumenteve dhe masave për të mbështetur kompanitë vendore, sipërmarrësit janë inkurajuar të investojnë 52 milionë euro në zhvillim dhe progres, duke u mundësuar kështu që të bëhen më konkurrues në tregun vendor, por edhe gati për të hyrë në tregjet globale.

“Rëndësia e FIZHT për ekonominë tonë nuk shihet vetëm përmes portofolit prej 1100 projektesh të mbështetura dhe vëllimit total të investimeve të realizuara prej 138 milionë eurosh për dhjetë vjet, FIZHT ka edhe një funksion tjetër të rëndësishëm. Është kultivimi dhe zhvillimi aktiv i shpirtit sipërmarrës që është i hapur ndaj inovacionit, dixhitalizimit. Zhvillimi drejt industrializimit të 4-të. Tashmë po shohim zhvillimin e radhës të FIZHT, që është akreditimi i tij në Fondin e Gjelbër Klimatik, me të cilin FIZHT do të jetë institucioni i parë shtetëror i akredituar për akses të drejtpërdrejtë në financa nga Fondi i Gjelbër Klimatik. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse do të mundësojë përfshirje më të madhe dhe burime më të mëdha financiare të sektorit privat në trajtimin e ndryshimeve klimatike. FIZHT ka një vizion të qartë dhe një të ardhme të ndritur për zhvillim përpara. FIZHT është dhe do të vazhdojë të jetë vendi i parë ku drejtohen të gjithë ndërmarrësit dhe novatorët e rinj dhe ambicioz”, tha Fatmir Bytyqi, zëvendëskryeministër i ngarkuar për Çështjet Ekonomike.

 

Fondi për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik do të vazhdojë me misionin e tij, duke prezantuar iniciativa dhe masa të reja që do t’u hapin rrugën të rinjve për t’u zhvilluar këtu në vendin tonë dhe do të mundësojnë mbështetje më të madhe për sipërmarrësit dhe rritjen e ekonomisë.