Arriti ADA, asistenti i parë digjital në sektorin publik

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka lansuar zyrtarisht ADA, një asistent digjital në sektorin publik, i pari në rajon dhe më gjerësisht i bazuar në inteligjencën artificiale. ADA nga dita e sotme është në dispozicion të ndërmarrjeve, e cila do t’u mundësojë të marrin informacion të plotë për kushtet për të investuar në vendin tonë dhe për ndihmën shtetërore që ofrohet për investime.
Nëpërmjet asistentit digjital, qytetarët dhe investitorët e huaj të interesuar do të mund të njihen me programet e disponueshme dhe thirrjet e hapura të institucioneve që paraqiten si dhënës të ndihmës shtetërore, si dhe garanton transparencë të madhe, marrje efikase dhe efektive të të dhënave të biznesit në kohë reale 24 /7 në tri gjuhë, maqedonisht, shqip dhe anglisht në adresën e internetit: ada.gov.mk.
Kryetari i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski, në fjalimin e tij në prezantimin e sotëm, tha se prezantimi i asistentit të parë digjital në ofrimin e shërbimeve publike paraqet përmirësim të praktikave tona të digjitalizimit në shoqëri. “Republika e Maqedonisë së Veriut po digjitalizohet. Vendi ynë ndjek proceset botërore dhe tashmë është pjesë e valës së tendencave të reja, moderne, digjitale, të cilat mbulojnë çdo aspekt të jetesës sonë, dhe gjëja më e thjeshtë për të thënë është se po, ADA po vjen, e cila është asistenti i parë digjital i krijuar ndonjëherë në Qeverinë e vendit tonë.
Procesi i digjitalizimit është i pandalshëm kudo në botë, përfshirë edhe në vendin tonë. Si Qeveri, e cila ka për qëllim modernizimin dhe përcjelljen e trendeve botërore, në periudhën e kaluar kemi mbështetur dhe do të vazhdojmë të mbështesim një numër të madh të iniciativave inovative”, tha kryeministri Kovacevski në fjalimin e tij, në prezantimin e sotëm të asistentit të parë dixhital në sektorin publik – ADA.
Duke theksuar se mbështetja me investime në ndërmarrje është në rritje të vazhdueshme, kryeministri Kovaçevski theksoi se vitin e kaluar është shënuar pagesa rekord prej 23 milionë euro, si dhe numër rekord i ndërmarrjeve të mbështetura, gjithsej 410, sipas Ligjit për Mbështetjen Financiare të Investimeve.
“Përdorimi i inteligjencës artificiale dhe kompjuterizimi pasqyrohet dhe zbatohet në sferën publike, si dhe në funksionimin e institucioneve tona. Pra, e ilustruar përmes shembujve të thjeshtë, nëse më parë biletat lëshoheshin nga njerëzit, tani makineritë e bëjnë këtë. Pagesa fizike e faturave, e cila dikur mund të bëhej vetëm përmes sporteleve, tashmë është zëvendësuar me pagesën online, ashtu siç është e mundur të sigurohen dokumente personale në mënyrë elektronike, dhe ajo për të cilën po punohet tashmë është një ID elektronike për qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Pra, përjashtojmë ndikimin e faktorit njerëzor, mundësinë e gabimeve dhe praktikave korruptive”, tha kryeministri Kovaçevski. Zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështjet ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, në fjalën e tij tha se ADA është materializimi i ndryshimit për të cilin të gjithë kemi nevojë, është materializimi i digjitalizimit, për të cilin flasim vazhdimisht, për transparencë, efektivitet dhe efiçencë në sektorin publik.
“Por cili është rezultati i ADA, nga ka ardhur? Ishin dy gjëra kryesore dy vjet më parë kur filluam diskutimin e ADA. Së pari ishte raporti i Departamentit të Shtetit që doli në atë kohë për luftën kundër korrupsionit. Në segmentin për luftë kundër korrupsionit, ishte një seksion që i referohej shpërndarjes së ndihmës shtetërore dhe mbështetjes për investime, ku thuhej se transparenca është çelësi për frenimin e shfaqjes së korrupsionit dhe se eliminimi i tij do të duhet të jetë imperativ për qeverinë. Dhe sot natyrshëm, ne gjetëm përgjigjen tek asistenti digjital bazuar në inteligjencën artificiale ADA. Sfida e dytë ishte personale, sepse si udhëheqës i këshillit për eko-sistemin start-up, ishte se si t’i ndihmonim ndërmarrjet tona vendase të tregojnë me të vërtetë atë që dinë. Dhe rezultati i dytë është ADA, e krijuar nga një ndërmarrje vendase start-up, Codewell”, tha zëvendëskryeministri Bytyqi.
Drejtori i Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik, Festim Halili, theksoi se Fondi vazhdon të jetë shtytës i ndryshimeve shoqërore.
“Sot me projektin ADA dërguam një mesazh të fortë se është koha për ndryshime të reja teknologjike që do të sigurojnë një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët. ADA është këtu dhe është e gatshme të mundësojë një komunikim të ri, modern të qytetarëve me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, por edhe të inkurajojë investitorët vendas dhe të huaj për masat e ndihmës shtetërore. Investimet në zhvillimin e inteligjencës artificiale janë në rritje në vendin tonë dhe përfitimet e saj do t’i ndjejmë shumë shpejt. Fondi si institucion do të vazhdojë të mbështesë iniciativa të tilla dhe të ngjashme që do të çojnë në digjitalizim dhe transformim më të shpejtë të ekosistemit maqedonas”, tha Festim Halili, drejtor i Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik.
Në këtë ngjarje foli edhe ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu, i cili tha se digjitalizimi është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. “Digjitalizimi në vendin tonë nuk nënkupton vetëm ofrimin e shërbimeve në kohë reale, por në të njëjtën kohë eliminimin e korrupsionit dhe prandaj thellësisht besojmë se përmes kësaj qasjeje do ta zvogëlojmë korrupsionin”, tha Aliu.
Nino Karas, një nga bashkëthemeluesit e ndërmarrjes Codewell që zhvilloi ADA, tha se asistenti digjital mundëson krijimin e punonjësve digjitalë të cilët janë ekspertë në një domen të mbyllur njohurish dhe automatizojnë komunikimin me përdoruesit përfundimtarë.
“Asistentë të tillë digjitalë janë në gjendje të ofrojnë komunikim të natyrshëm me përdoruesit përfundimtarë përmes kanaleve chat – të ngjashme me komunikimin me një person real, të disponueshëm në çdo kohë dhe u shërbejnë përdoruesve në gjuhën e tyre amtare. Thjesht imagjinoni të keni qasje te punonjësi më i mirë i sportelit, i cili është i disponueshëm për ju 24×7 për komunikim përmes aplikacioneve të njohura të chat-it (Facebook Messenger dhe Viber) dhe që mund t’ju ndihmojë për çdo gjë me interes në lidhje me institucionin përkatës”, tha Karas.
Në thirrjen publike, ndërmarrja “Cadwell Unlimited” është vlerësuar në garën e tre projekteve si ideja më inovative për asistent digjital të AI, për realizimin e së cilës shteti ka siguruar nëntë milionë denarë nga buxheti i FIZHT përmes Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik.