Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik shpalli sot thirrjen publike për grante të bashkëfinancuara për komercializimin e inovacioneve, përmes së cilës janë siguruar 9 milionë euro për komercializimin e inovacioneve të ndërmarrjeve maqedonase.
Qëllimi i thirrjes është të mbështeten ndërmarrjet që duan të zhvillojnë një produkt, shërbim apo proces inovativ, vetëm ose në bashkëpunim me një ndërmarrje dhe/ose institucion tjetër që ushtron arsimin e lartë, gjegjësisht veprimtari hulumtuese-shkencore. Mbështetja financiare ofrohet për sipërmarrjet vendase që kanë projekte me qëllim të qartë tregtar dhe që janë në fazën e prototipit, deri në fazën parakomerciale. Nëse projekt-propozimi paraqitet nga një konsorcium, ai dorëzohet nga aplikuesi udhëheqës, ku anëtarë të konsorciumit mund të jenë ndërmarrje, institucione të arsimit të lartë dhe institucione hulumtore-shkencore nga vendi dhe jashtë.
“Nëpërmjet instrumentit komercializimi i inovacioneve, deri më tani kemi mbështetur mbi 140 ndërmarrje, që përbën 19% të portofolit total, në vlerë prej 21.5 milionë euro, fonde të bashkëfinancuara nga buxheti i FIZHT. Kjo e dhënë është konfirmim se Fondi është gjithmonë në krah të ndërmarrjeve inovative, të të rinjve që kanë dëshirën dhe ambicjen për të zhvilluar biznes të suksesshëm. Me mjetet e këtij instrumenti, ndërmarrjet kanë mundësi të zhvillojnë një produkt apo shërbim të ri, të digjitalizojnë proceset, të rrisin produktivitetin dhe konkurrencën si në tregun vendas ashtu edhe në atë ndërkombëtar”, tha Festim Halili, drejtor i Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik.
Halili shtoi se përmes kësaj thirrje do të inkurajohen ndërmarrjet e reja që të aplikojnë për mbështetje nga Fondi, duke qenë se thirrja është e hapur për ndërmarrjet që nuk janë shfrytëzues aktual të instrumenteve nga Fondi. Gjithashtu, Halili inkurajoi ndërmarrjet që të aplikojnë në thirrjen publike për komercializimin e inovacioneve dhe t’i kthejnë idetë e tyre inovative në histori të suksesshme biznesi.
Fondi do të sigurojë financim deri në 70% nga buxheti i përgjithshëm i projektit, për ndërmarrjet, numri mesatar i punonjësve të të cilëve është deri në 50 dhe të ardhurat vjetore të të cilave në dy vitet e fundit janë më pak se 2 milionë euro, respektivisht deri në 60% financim nga buxheti total i projektit, për ndërmarrjet, numri mesatar i të punësuarve të të cilave është nga 50 në 250 dhe të ardhurat vjetore të të cilave në dy vitet e fundit janë më të mëdha se 2 milionë euro dhe më pak se 10 milionë euro. Kohëzgjatja e projekteve mund të jetë deri në 24 muaj.
Gjithashtu, me këtë instrument inkurajojmë ndërmarrjet që të kërkojnë burime shtesë financimi, kështu që nëse për kohëzgjatjen e projektit dhe deri në miratimin e raportit përfundimtar nga Fondi, përfituesi paraqet dëshminë e një investitori tërheqës që ka investuar një shumë e cila arrin të paktën 50% të shumës së mbështetjes financiare të dhënë nga Fondi për përfituesin, në atë rast përdoruesi do të lirohet nga detyrimi për të paguar honoraret.
Aktivitetet që do të miratohen për financim në kuadër të thirrjes janë për: hulumtim dhe zhvillim, testim, aktivitete që kanë të bëjnë me mbrojtjen e pronësisë intelektuale, dizajnim, zhvillim të linjave pilot, aktivitete që lidhen me sigurimin e cilësisë dhe aktivitetet e marketingut dhe shitjes.
Si kritere kryesore sipas të cilave do të vlerësohen projektet janë: shkalla e inovacionit, cilësia e projektit, kapaciteti i ekipit të projektit, potenciali i tregut dhe ndikimi i projektit.
Procesi i vlerësimit të projekt-propozimeve do të zhvillohet në dy faza: faza e para-përzgjedhjes e cila kryhet nga tre ekspertë vendas për projekt, dy ekspertë nga fushat që korrespondojnë me kriteret e vlerësimit dhe një person nga zona që korrespondon me propozim projektin. Në fazën e dytë, gjegjësisht faza e përzgjedhjes, kryhet nga Komisioni i Miratimit të Investimeve, i cili merr edhe vendimin përfundimtar për financimin e projektit.
Afati për aplikim në thirrjen publike për grante të bashkëfinancuara për komercializimin e inovacioneve është deri më 17 nëntor 2022, ora 14:00. Më shumë informacione rreth thirrjes janë në dispozicion në linkun e mëposhtëm: https://fitr.mk/komercijalizacija2022/