Gjithsej pesë ndërmarrje vendore janë përfitues të mbështetjes financiare në kuadër të Sfidës “Përballja me ndryshimet klimatike 2022” e cila u zbatua nga Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik në bashkëpunim me Kabinetin e Zëvendës Presidentit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështjet ekonomike, koordinimin me sektorët ekonomikë dhe investimet.
Fituesit janë: projekti ” Ndikimi i rrjetave hijezuese në cilësinë dhe potencialin antioksidues të mjedrës dhe manaferrës që kultivohet në rajonin e Kriva Palankës” e ndërmarrjes Vilamet, projekti “Challenger@Work” e ndërmarrjes Grint IT, projekti ” Pllaka bekaton ekologjike nga lëvozhgat e orizit dhe linjina” e ndërmarrjes Inovativnost SHPKNJP, projekti “Llama” e ndërmarrjes Kodhem SHPKNJP dhe projekti “Nga mbetjet te vlera organike” Dominos SHPKNJP. Zgjidhjet inovative të ofruara nga pesë ndërmarrjet do të mundësojnë zhvillimin e teknologjive, produkteve dhe/ose proceseve inovative, klimatike/të pastra që synojnë zbutjen ose reduktimin e pasojave të ndryshimeve klimatike.
“Ndryshimet klimatike janë një nga kërcënimet më të mëdha me të cilat përballet njerëzimi, prandaj jam vërtet krenar që FIZHT është i përfshirë në mënyrë aktive në përpjekjet e përbashkëta të Republikës së Maqedonisë së Veriut për t’iu përgjigjur sfidave të ndryshimeve klimatike, veçanërisht me investime në sektorë cenueshëm. Sfida – përballja me ndryshimet klimatike paraqet jo vetëm fillimin, por edhe një hap konkret që e kemi realizuar në drejtim të forcimit të financimit të klimës në Maqedoninë e Veriut, me të cilin kemi inkurajuar potencialin e sektorit privat për të investuar në zgjidhje inovative në përballjen me ndryshimet klimatike. Por nuk ndalemi me kaq, në bazë të vendimit të fundit të Qeverisë, FIZHT për t’u emëruar si subjekti i parë kombëtar që do të nisë procesin e akreditimit për FGJK, kemi filluar procesin e përgatitjes së aplikacionit për akreditim për Fondin e Gjelbër Klimatik. Në këtë mënyrë, shteti do të mund të aksesojë drejtpërdrejt FGJK, me pronësi të plotë në procesin e financimit të klimës dhe integrimin më të mirë të saj me planet kombëtare për klimë”, tha Festim Halili, drejtor i Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik.
Halili theksoi se është i bindur se projektet e mbështetura të ndërmarrjeve, por edhe të gjithë ne – institucionet, organizatat shkencore dhe qytetare dhe sektori privat do t’i bashkohemi aktivisht luftës kundër ndryshimeve klimatike.
Buxheti i përgjithshëm i thirrjes është 7,5 milionë denarë, ndërsa Fondi siguron financim deri në 90% të buxhetit të përgjithshëm për projektin, në shumën maksimale prej 1,5 milionë denarë për projekt. Zbatimi i projekteve fituese mund të jetë deri në 12 muaj.
Në sfidën, e cila ishte e hapur nga data 14.6 deri më 1.9.2022 janë dorëzuar gjithsej 25 aplikime për projekte, të cilat kaluan dy fazat e para-përzgjedhjes dhe përzgjedhjes përfundimtare nga Komisioni i Vlerësimit dhe Përzgjedhjes, i cili mori vendimin përfundimtar për financimin e pesë projekt-aplikacioneve më të mira.