FIZHT, INOFEIT dhe IME me një bashkëpunim të ri për të përmirësuar shkallën e digjitalizimit të ndërmarrjeve maqedonase

 

Fondi i Inovacioneve dhe i Zhvillimit Teknologjik, Qendra për transferim të teknologjisë dhe inovacionit pranë Fakultetit të elektroteknikës dhe teknologjive informative – INOFEIT dhe Programi Zviceran rritje të punësueshmërisë së tregut (IME) nënshkruan një Memorandum bashkëpunimi, me qëllim krijimin dhe përmirësimin e mekanizmave për të mbështetur proceset e transformimit digjital tek ndërmarrjet maqedonase përmes prezantimit dhe aplikimit të zgjidhjeve digjitale.

Përmes një bashkëpunimi të tillë theksohet rëndësia e transformimit digjital të proceseve kyçe në ndërmarrjet, që është thelbësore për rritjen e produktivitetit dhe konkurrencës së ndërmarrjeve maqedonase dhe ekonomisë në tërësi.

 “Bashkëpunimi i suksesshëm i deritanishëm ndërmjet FIZHT dhe IME vazhdon në drejtim të zhvillimit të ekosistemit maqedonas duke mbështetur procesin e transformimit digjital dhe duke përmirësuar nivelin e digjitalizimit të ndërmarrjeve maqedonase. Mbështetja e zgjidhjeve inovative digjitale do të kontribuojë në zhvillimin e llojeve të reja të inovacioneve dhe rritjen e përshpejtuar të ndërmarrjeve. Me këto aktivitete do të kontribuojmë edhe në përforcimin e pozitës së Qendrës së Inovacionit Digjital pranë Qendrës për transferim të teknologjisë dhe inovacionit (INOFEIT DIH) si ofrues i shërbimeve të digjitalizimit one-stop shop”, tha Festim Halili, drejtor i Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik.

Aktivitetet janë planifikuar të zhvillohen në dy faza – në fazën e parë do të bëhet ekzaminimi i nevojave për digjitalizim e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ndërsa në fazën e dytë është planifikuar që Fondi të shpallë Thirrje për grante të bashkëfinancuara për zhvillimin dhe implementimin e zgjidhjeve inovative digjitale.

“Qendra e inovacionit digjital e INOFEIT, si ofrues i shërbimeve për ndërmarrjet në drejtim të transformimit digjital, do të udhëheqë fazën e parë të realizimit të aktiviteteve, të parapara me Memorandumin e bashkëpunimit. që nënshkruam sot. INOFEIT DIH me mbështetjen e Programit Zviceran IME së shpejti do të publikojë një thirrje për ndërmarrjet që janë të interesuara të analizojnë pjekurinë e tyre digjitale dhe të zbulojnë nevojat për zgjidhje digjitale. – Analiza e ndërmarrjeve do të bëhet sipas një metodologjie të përafruar me praktikat moderne në vendet e BE-së me të cilat ndërmarrjet do të marrin një vlerësim të detajuar të potencialit për transformimin e ardhshëm digjital,  rritjen e ardhshme si dhe teknologjitë/mjetet kyçe të nevojshme për transformimin digjital dhe ngritjen e nivelit të pjekurisë digjitaletha Prof. Vladimir Atanasovski, udhëheqës në INOFEIT.

Aktivitetet do t’u drejtohen ndërmarrjeve nga fushat e definuara me procesin e specializimit të zgjuar: 1) bujqësia e zgjuar dhe ushqimi me vlerë të shtuar, 2) teknologjitë e informacionit dhe komunikimit, 3) ndërtesat dhe materialet e qëndrueshme dhe të zgjuara, 4) industria mekanike dhe e përpunimit të metaleve (industria 4.0), 5) turizmi dhe 6) energjetika.

“Aktivitetet e parapara në kuadër të Memorandumit do të mundësojnë avancimin e ndërmarrjeve maqedonase në drejtim të shkallës më të lartë të digjitalizimit dhe transformimit digjital. Qëllimi i mbështetjes Zvicerane është të rrisë gatishmërinë digjitale të ndërmarrjeve, dhe nëpërmjet investimeve në zgjidhjet digjitale të përmirësojë efikasitetin dhe produktivitetin e tyre në punë, gjë që do të çojë në një konkurrencë më të madhe në tregjet e brendshme dhe të jashtme, dhe në të njëjtën kohë do të krijojë kushte për krijimin e vendeve të reja të punës.tha Goran Damovski, drejtor i Programit Zviceran për rritje të punësueshmërisë së tregut (IME).

Në periudhën e ardhshme do të publikohet Thirrja për grante të bashkëfinancuara për zhvillimin dhe implementimin e zgjidhjeve inovative digjitale në përputhje me Programin Vjetor të Punës së FIZHT për vitin 2022, Shtylla 2 – Mbështetje për Zhvillimin e Biznesit, pjesa: Sfidat Tematike. – Qendrat startup dhe Qendrat e inovacionit digjital (Digital Innovation Hub – DIH), me çka në kohë do të pasojnë informacione në mediat sociale dhe sesione informative të njëpasnjëshme.