DFIZHT Halili në prezantimin e investimit të ri të ndërmarrjes “NEXT.E.GO MOBILE”, e cila do të prodhojë vetura elektrike e-Go në RSM

Drejtori i Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik, Festim Halili, mori pjesë në vënien e gurthemelit të ndërmarrjes së re inovative “NEXT.E.GO MOBILE”, në Zonën Zhvillimore Teknologjiko-Industriale në Tetovë.
 
Me këtë investim, për herë të parë në industrinë e automobilave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, do të prodhohet një veturë e plotë dhe për herë të parë do të prodhohen vetura elektrike e-Go.
 
Në këtë manifestim me rastin e prezantimit të investimit të ri iu drejtuan përfaqësues të Qeverisë, si dhe të ndërmarrjes “NEXT.E.GO MOBILE” dhe të ftuar të tjerë të nderuar.
 
Folësit njoftuan se investimi prej 130 milionë eurosh do të krijojë 900 vende pune në Tetovë dhe Pollog dhe mbi 3000 vende pune indirekte nga ndërmarrjet vendore që do të bashkëpunojnë drejtpërdrejt me investitorin. Gjithashtu, u theksua se ndërmarrja e.GO do të paguajë një pagë mesatare bruto prej 1340 euro.
 
Përfaqësuesit e qeverisë potencuan se me këtë investim shumëmilionësh të ndërmarrjes e.GO në TIRZ Tetovë, fillon një epokë e re në fushën e investimeve të huaja, por edhe për përdorimin e makinave elektrike nga qytetarët.