Sfida për vendosje të laboratorëve për hulumtim, krijim dhe inovacion „МАKERSPACE“

Të nderuar aplikantë të mundshëm,
Ju informojmë se është bërë një anashkalim teknik në formularin e dokumentit “Buxheti i projektit” për thirrjen “Sfida për vendosjen e laboratorëve për hulumtim, krijim dhe inovacion MAKERSPACE”.
Kohëzgjatja e projektit mund të jetë deri në 18 (tetëmbëdhjetë) muaj, por në formularin e publikuar për “Buxhetin e Projektit” janë theksuar vetëm 4 (katër) tremujorë në vend të 6 (gjashtë) tremujorëve të nevojshëm.
Për të tejkaluar këtë anashkalim, në formularët e disponueshëm në faqen e internetit tashmë është i disponueshëm formualari i rishikuar për “Buxhetin e Projektit”, i cili është korrigjuar siç duhet dhe përmban 6 (gjashtë) tremujorët e nevojshëm.
Duke pasur parasysh afatin e shkurtër që ka mbetur për dorëzimin e aplikacioneve për projekte, ju lutemi, nëse keni mundësi, plotësoni formularin përkatës të rishikuar “Buxheti i Projektit” me 6 (gjashtë) tremujorë. Të gjithë garuesit që do të dorëzojnë një formular të plotësuar me 4 (katër) tremujorë brenda periudhës së aplikimit të dhënë, gjatë procedurës së verifikimit administrativ do t’u jepet mundësia t’i rishikojnë ato sipas formularit të korrigjuar në mënyrë të duhur “Buxheti i Projektit” me 6 (gjashtë) tremujorë.

Në një botë në të cilën përballemi me një fluks informacioni gjithnjë në rritje, ku përparimi i shkencës dhe teknologjisë është gjithnjë e më i shpejtë dhe ka një ndikim gjithnjë e më të madh në jetën e përditshme të një personi, procesi arsimor duhet të përshtatet me nevojën për t’iu përgjigjur sfidave të së ardhmes. Prandaj, bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për të rinjtë, nxënësit dhe studentët jo vetëm të fitojnë njohuri të caktuara, por edhe të fitojnë aftësi për të qenë në gjendje të zbatojnë praktikisht të njëjtat njohuri në një mënyrë kreative dhe analitike në drejtim të gjetjes së zgjidhjeve të reja për problemet ekzistuese dhe të ardhshme.

Sfida për vendosje laboratorëve për hulumtim, krijim dhe inovacion – MAKERSPACE synon t’u sigurojë të rinjve në komunitet kushte pune, hapësinore, materiale dhe teknike për përvetësimin dhe shkëmbimin e njohurive dhe hulumtimeve, në të cilat do të përdoren mjete nga fusha shkencore, teknologjike dhe industrive kreative. MAKERSPACE është një hapësirë ​​e hapur për kreatorët e rinj dhe përmban një gamë të gjerë pajisjesh – si një inkubator i vërtetë i njohurive dhe teknologjisë për shekullin e 21-të. Në të njëjtën kohë, këta laboratorë do të përfaqësojnë një vend për bashkëpunim ndërmjet sektorit privat, institucioneve të arsimit të lartë dhe shkencor, institucioneve arsimore, ndërmarrjeve dhe shoqatave qytetare.

Laboratorët për hulumtim, krijim dhe inovacion që do të vendosen përmes kësaj sfide do të lokalizohen në kuadër të institucioneve të arsimit të lartë dhe institucioneve hulumtuese-shkencore, do të plotësojnë kushte të përcaktuara hapësinore dhe teknike dhe do të përfaqësojnë vend për lojë, krijim dhe zbulim. Këta laboratorë do t’u mundësojnë të rinjve qasje në teknologji të avancuara përmes të cilave ata mund të materializojnë atë që kanë imagjinuar, vend ku të rinjtë do të mësojnë dhe krijojnë duke inkurajuar inovacionin e tyre.

Garuesit duhet të ofrojnë një projekt-propozim për vendosje të një laboratori për hulumtim, krijim dhe inovacion – “MAKERSPACE” të lokalizuara në kuadër të arsimit të lartë apo institucioneve hulumtuese-shkencore ku të rinjtë e moshës 15 deri në 29 vjeç do të inspirohen, rrjetëzohen, të ndajnë përvojat dhe të zbatojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre. Njëkohësisht, këtu të rinjtë do të kenë qasje falas, mbështetje mentoruese, kushte hapësinore dhe teknike për të konstruktuar një prototip të një zgjidhjeje inovative që mund ta testojnë në laborator, në një mjedis industrial dhe/ose në treg. Përdoruesit e këtyre laboratorëve do të kenë qasje të hapur në të gjitha përmbajtjet – biblioteka, rrjete kompjuterike dhe mjete ndihmëse të ndryshme.

Garuesit pritet të ofrojnë një propozim gjithëpërfshirës që do të përfshijë sa më shumë mundësi, zgjidhje dhe fleksibilitet për grupe të ndryshme të synuara në faza të ndryshme të ciklit të hulumtimit dhe inovacionit, në përputhje me programin dhe specifikat e laboratorit.

Laboratorët për hulumtim, krijim dhe inovacion – “MAKERSPACE” mund të përshtaten me nevojat e sektorëve të veçantë shkencor-teknologjik dhe/ose industrial. Inkurajohen veçanërisht projektet që kanë karakter ndërdisiplinor dhe nënkuptojnë bashkëpunim ndërsektorial, bashkëpunim ndërmjet institucioneve të ndryshme të arsimit të lartë dhe ndërmjet njësive të ndryshme në institucionet e arsimit të lartë. Preferenca do t’u jepet atyre laboratorëve që përfshijnë aspekte të transformimit të gjelbër, pra ekonomi rrethore.

Jashtë programit për të rinjtë të mbështetur nga projekti, laboratorët mund të përdoret edhe për qëllime komerciale.

Kohëzgjatja e projektit duhet të jetë deri në 18 (tetëmbëdhjetë) muaj.

Fondi, në bazë të rrethanave të justifikuara, mund të miratojë zgjatjen e zbatimit të projektit deri në (6) gjashtë muaj.

Në rast të zgjatjes së kohëzgjatjes së zbatimit të projektit, shuma e grantit të dhënë nuk mund të rritet.

.

Për financimin e projekteve në kuadër të kësaj thirrje është paraparë një shumë totale prej 20.000.000 (njëzet milionë) denarë.

Përmes kësaj thirrjeje, Fondi siguron financim deri në 90% (nëntëdhjetë për qind) të buxhetit të përgjithshëm të projektit, në shumën maksimale prej 5.000.000 (pesë milionë) denarë për projekt.

Pjesa e mbetur prej 10% (dhjetë përqind) e buxhetit total për projektin duhet të sigurohet nga garuesi (mjetet e marra nga Fondi mbi çdo bazë tjetër ose çdo ndihmë tjetër shtetërore nuk do të konsiderohen të pranueshme për bashkëfinancim nga garuesi).

Bashkëfinancimi i ofruar mund të jetë në formën e bashkëfinancimit monetar dhe/ose në formën e pjesëmarrjes in-kind. Përparësi do të kenë ato projekte të propozuara që do të ofrojnë bashkëfinancim monetar nga fondet e veta dhe bashkëfinancim nga palët e treta (shoqëri tregtare, donatorë, shoqata biznesi, etj.).

Fondi rezervon të drejtën të mos ndaj shpërblim nëse nuk ka projekt propozime cilësore të mjaftueshme ose nëse kushtet për dhënien e shpërblimit nuk plotësohen sipas Rregullave dhe kushteve të specifikuara në Thirrjen Publike.

Projekti i propozuar mund të dorëzohet nga një garues individual, nga një garues individual në partneritet me persona të tjerë juridikë ose nga një konsorcium i drejtuar nga garuesi udhëheqës.

Kushtet që duhet të plotësojë çdo garues janë:

  • Të jetë person juridik i regjistruar në Regjistrin Qendror të Republikës së Maqedonisë së Veriut, përkatësisht:

(а) universitetet publike në njësitë e tyre të fokusuara në shkencë (institutet e shkencës) dhe në njësitë e fokusuara në arsimin e bazuar në shkencë (fakultete);

(b) institucionet e pavarura publike të arsimit të lartë;

(c) institucionet private-publike jofitimprurëse të arsimit të lartë

(ç) institucionet publike shkencore dhe institucionet e përziera shkencore të themeluara në përputhje me Ligjin për Arsimin e Lartë ose Ligjin për Veprimtarinë Kërkimore Shkencore

(d)  shoqëritë tregtare që janë në pronësi dominuese të institucioneve publike të arsimit të lartë (50,1% ose më shumë) që, sipas Ligjit për kontrollin e ndihmës shtetërore dhe Dekretit për kushtet dhe procedurën e dhënies së ndihmës me rëndësi të vogël (de minimis), plotësojnë kushtet e mëposhtme:

  • të mos kenë grumbulluar më shumë se 200 000 (dyqind mijë) euro ndihmë me rëndësi të vogël për një periudhë trevjeçare fiskale, përfshirë shumën e kërkuar të mjeteve nga Fondi
  • të mos kenë grumbulluar më shumë se 100 000 (njëqind mijë) euro ndihmë me rëndësi të vogël për një periudhë trevjeçare fiskale, përfshirë shumën e kërkuar të mjeteve nga Fondi, nëse ndërmarrja është aktive në sektorin e trafikut rrugor;
  • të mos jetë në vështirësi (ndërmarrje në vështirësi është një ndërmarrje që nuk është në gjendje të përmbushë detyrimet e saj nga burimet e veta ose me mjete që mund të marrë nga pronari/aksionarët ose kreditorët e saj, për të ndalur humbjet, të cilat pa ndërhyrje të jashtme nga ofruesit e ndihmës sigurisht që do të çojnë në ndërprerje afatshkurtër dhe afatgjatë të biznesit të ndërmarrjes), dhe
  • të mos merret me prodhimin e qymyrit.

 

(dh) persona juridikë të regjistruar në përputhje me Ligjin për shoqatat dhe fondacionet që janë aktive në fushën e rinisë, arsimit, shkencës, teknologjisë dhe/ose veprimtarisë inovative.

Ambientet e laboratorit të prodhimit duhet të jenë në pronësi të:

(а) universiteteve publike në njësitë e tyre të fokusuara në shkencë (institutet e shkencës) dhe në njësitë e fokusuara në arsimin e bazuar në shkencë (fakultete);

(b) institucioneve të pavarura publike të arsimit të lartë;

(c) institucioneve private-publike jofitimprurëse të arsimit të lartë

(ç) institucioneve publike shkencore dhe institucionet e përziera shkencore të themeluara në përputhje me Ligjin për Arsimin e Lartë ose Ligjin për Veprimtarinë Kërkimore Shkencore

(d)  shoqërive tregtare që janë në pronësi dominuese të institucioneve publike të arsimit të lartë (50,1% ose më shumë).

Si partner/ët ose anëtarë/ët të një konsorciumi mund të aplikojnë persona juridikë të regjistruar në shtet dhe/ose të regjistruar jashtë Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në rast se propozim projekti dorëzohet nga një garues i cili nuk zotëron ambientet e laboratorit të prodhimit, garuesi duhet të ketë një marrëveshje të nënshkruar ose të ketë siguruar letër shprehje interesi për të përdorur ambientet e laboratorit të prodhimit për qëllimet e projektit të shpërblyer për një kohëzgjatje minimale prej 24 (njëzet e katër) muajsh.

Një garues mund të aplikojë vetëm me një projekt propozim. Garuesi udhëheqës nuk mund të paraqitet si anëtar konsorciumi për tjetër projekt propozim. Garuesi udhëheqës mund të paraqitet si partner në një tjetër projekt propozim. Një partner mund të paraqitet në më shumë se një projekt propozim.

Përdoruesit e financuar nga Sfida për vendosje të laboratorëve të prodhimit „FAB LABS” nuk mund të paraqiten si garues individual ose udhëheqës, por mund të përfshihen si partnerë ose anëtarë të konsorciumit.

  • Aktivitete të pranueshme për financim në kuadër të projektit të shpërblyer janë:
  • Vendosja (përshtatja dhe arredimi hapësinor) e laboratorit për hulumtim, krijim dhe inovacion me pajisje për hulumtim dhe zhvillim;
  • Zbatim të programeve për mentorim dhe ofrimin e mbështetjes profesionale për hulumtim dhe zhvillim, dizajnim, testim, zhvillim të linjave pilot, sigurim të cilësisë, marketing dhe shitje, për të rinjtë e moshës 15 deri në 29 vjeç që lidhen drejtpërdrejt me programin e propozuar.

Laboratori për hulumtim, krijim dhe inovacion duhet të jetë i pajisur me pajisje që korrespondojnë me programin e propozuar dhe që mund të përshtatet me industri specifike (p.sh. tekniko-teknologjike, ushqimore, etj.).

Lista e sugjeruar e pajisjeve (jo të detyrueshme):

    • Printer 3D
    • Skaner 3D
    • Makinë prerëse lazer në 2D dhe 3D;
    • Makinë CNC me saktësi të lartë për përpunimin e qarqeve elektrike, kallëpeve etj.
    • Makina ruter për përpunimin e drurit
    • Mjete bazë për prerjen, shpimin dhe formësimin e drurit dhe metalit
    • Pajisjet mekanike për kontroll elektronik
    • Pajisje saldimi
    • Instrumente matës
    • Komponentë të ndryshëm elektronikë
    • Makinë për sekuencimin e ADN-së (PCR)
    • Makina qepëse

Shpenzimet e pranueshme për financim në kuadër të projektit të dhënë janë:

  • Furnizimi i pajisjeve për hulumtim dhe zhvillim, duke përfshirë softuerin, si dhe përshtatjen e hapësirës për instalimin e pajisjeve të furnizuara;
  • Furnizimi i materialeve harxhuese për hulumtim dhe zhvillim (komponentë elektronikë, kancelari, literaturë, etj.);
  • Pagat bruto – shumat e pagave bruto për punonjësit e angazhuar në projekt duhet të korrespondojnë me praktikat e vendosura të përfituesit të shpërblimit përpara fillimit të projektit;
  • Angazhimi i konsulentëve për shërbime mentorimi, marketing dhe mbështetje profesionale – deri në 30% të buxhetit total të projektit;
  • Mbështetja e biznesit (shpenzimet e menaxhimit të projektit, shërbimet e kontabilitetit, shërbimet juridike, etj.) – deri në 15% të buxhetit total të projektit;
  • Shpenzimet administrative (komisionet bankare, shpenzimet për shpalljen e thirrjeve publike etj.) – deri në 5% të buxhetit total të projektit.

Pas përfundimit të projektit, pajisjet e furnizuara duhet të mbeten në pronësi të përhershme të institucionit të arsimit të lartë/shkencor hulumtues jofitimprurës publik ose privat-publik, ambientet e të cilit përdoren për laboratorin e hulumtimit, krijimit dhe inovacionit.

Shpenzimet që nuk janë të pranueshme për financim në kuadër të projektit të shpërblyer janë:

  • Shlyerja e interesit ose e borxhit ndaj një pale tjetër;
  • Shpenzimet dhe komisionet për humbjet ose borxhet e kaluara ose të mundshme në të ardhmen;
  • Mbulimi i humbjeve nga këmbimi i valutor, tarifat dhe gjobat;
  • Shpenzimet për argëtim dhe hotelieri;
  • Shpenzimet për rekrutimin e personelit (shpenzimet për publikim të konkurseve, komisione nga agjencitë e punësimit, shpenzimet që lidhen me përzgjedhjen e kandidatëve, etj.) dhe shpenzimet e zhvendosjes;
  • Blerja e tokës ose ndërtesave, duke përfshirë rinovimin;
  • Pagesa me para në dorë nga llogaria speciale e projektit;
  • Aktivitetet e eksportit (shpenzimet që lidhen drejtpërdrejt me eksportimin e produkteve, ngritjen dhe funksionimin e një rrjeti shpërndarjeje, etj.);
  • Tarifat vjetore për mbajtjen e një patente (me përjashtim të rasteve të justifikuara mirë dhe të vlerësuara si shpenzime të lejueshme gjatë evaluimit të projekt propozimit);
  • Shtesat në paga;
  • Shpenzimet për shërbimet e konsulencës të ofruara nga pronari/ët e një ndërmarrjeje që është përfitues i shpërblimit;
  • Qiraja e hapësirës afariste nga qiradhënësi që merr pjesë në aktivitetet e projektit ose është person i lidhur me përfituesin e shpërblimit;
  • Furnizim të automjeteve për pasagjerë, mallra dhe transport;
  • Furnizim të pajisjeve të përdorura;
  • Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH), në rast se subjekti i shpallur fitues ka të drejtën e rimbursimit të TVSH-së;
  • Nuk janë të pranueshëm për financim dhe shpenzime për realizimin e aktiviteteve që më parë janë financuar nga burime të tjera.

Fondi rezervon të drejtën për të negociuar me fituesit për sa i përket përcaktimit të aktiviteteve dhe buxhetit të projektit bazuar në rekomandimet e marra nga Komisioni i vlerësimit dhe përzgjedhjes përpara nënshkrimit të Marrëveshjes së dhënies së shpërblimit.

Garuesi nuk mund të shkelë me vetëdije ose qëllimisht të drejtat e pronësisë intelektuale të ndonjë pale të tretë.

Fondi nuk do të jetë përgjegjës për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat e pronësisë intelektuale ndërmjet garuesit/përfituesit të shpërblimit dhe palëve të treta.

 

Çdo propozim projekt i dorëzuar në thirrjen publike për ndarjen e mjeteve të Fondit që ka ndikim në mjedisin jetësor duhet të jetë në përputhje me Ligjin për mjedisin jetësor dhe ligjet dhe aktet nënligjore të tjera përkatëse të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Vlerësimi, përzgjedhja dhe vendimi për dhënien e shpërblimit bëhet nga Komisioni i vlerësimit dhe përzgjedhjes.

Vlerësimi i projektit përbëhet nga disa hapa:

  • Kontrolli administrativ i dokumenteve të dorëzuara (nëse dokumentacioni është i plotë dhe në përputhje me kushtet e përshtatshmërisë të specifikuara në thirrjen publike);
  • Vlerësimi i parë i projekt propozimeve (para-përzgjedhja);
  • Selektimi i projekt propozimeve më të mira – pas prezantimit të projekt propozimeve të parapërzgjedhura para Komisionit të vlerësimit dhe përzgjedhjes.

Procesi i kontrollit administrativ, parapërzgjedhjes dhe përzgjedhjes do të përfundojë brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve pas përfundimit të afatit për dorëzimin e projekt propozimeve.

Çdo projekt propozim vlerësohet nga Komisioni i vlerësimit dhe përzgjedhjes, nga të paktën 5 (pesë) anëtarë të përbërë nga:

  • Përfaqësues nga Fondi i Inovacioneve dhe Zhvillimit Teknologjik;
  • Përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës;
  • Përfaqësues nga komuniteti akademik;
  • Përfaqësues nga organizatat partnere;
  • Përfaqësues nga sektori i biznesit (ekspert në fushën e zhvillimit të biznesit).

Komisioni i vlerësimit dhe përzgjedhjes vlerëson çdo projekt propozim veçmas sipas kritereve të mëposhtme të vlerësimit:

  1. Cilësia e projekt propozimit – 20 pikë
    • Projekt propozimi i propozuar korrespondon me objektivat e thirrjes publike.
    • Projektpropozimi i propozuar ka karakter ndërdisiplinor, nënkupton bashkëpunim ndërsektorial, bashkëpunim ndërmjet institucioneve të ndryshme të arsimit të lartë dhe/ose bashkëpunim ndërmjet njësive të ndryshme në institucionet e arsimit të lartë.
    • Objektivat e projektit janë të arritshme në kontekstin e burimeve materiale dhe njerëzore të propozuara dhe kohëzgjatjes së projektit.
    • Aktivitetet e propozuara janë formuluar qartë dhe çojnë në arritjen e qëllimeve të pritura.
    • Grupet e synuara janë formuluar qartë dhe korrespondojnë me objektivat e projektit.
  2. Cilësia e programit të propozuar – 20 pikë
    • Programi i propozuar çon në realizimin e qëllimeve të projektit.
    • Programi i propozuar korrespondon me moshën dhe qëllimin e grupeve të synuara.
    • Programi i propozuar mundëson qasje adekuate të grupeve të synuara në burimet hapësinore, teknike dhe materiale të laboratorit për hulumtim, krijim dhe inovacion.
    • Programi i propozuar është i realizueshëm në kontekstin e kohëzgjatjes dhe burimeve të disponueshme të projektit.
  3. Cilësia e ekipit të projektit – 20 pikë
    • Ekipi i projektit posedon kualifikime të përshtatshme dhe përvojë të mëparshme në menaxhimin e projekteve të ngjashme.
    • Ekipi i projektit posedon kualifikime të përshtatshme, njohuri teknike dhe përvojë të mëparshme të përshtatshme për zbatimin e programit të projektit.
    • Ekipi i projektit posedon kualifikime të përshtatshme dhe përvojë të mëparshme në rrjetëzim dhe promovim.
  4. Ndikimi (përsosmëria shkencore-teknologjike, nxitja e aktivitetit inovativ në sektorin privat, punësueshmëria, gjithëpërfshirja, zhvillimi rajonal dhe ekonomik, ndikimi në mjedisin jetësor) – 20 pikë.
    • Projekti do të ketë ndikim të rëndësishëm në grupet e synuara të identifikuara.
    • Projekti do të ketë ndikim të rëndësishëm përtej grupeve të synuara të identifikuara, veçanërisht në drejtim të forcimit të aktivitetit inovativ në sektorin privat.
    • Ndikimi i mundshëm në grupet e synuara të identifikuara dhe në komunitetin e gjerë është shpjeguar mirë dhe i arritshëm.
    • Projekti përfshin aspekte të transformimit të gjelbër, pra ekonomi rrethore.
    • Laboratori për hulumtim, krijim dhe inovacion ndodhet në një rajon më pak të zhvilluar.
  5. Financim shtesë i siguruar – 10 pikë
    • Garuesi do të sigurojë mjete financiare si bashkëfinancim vetjak (5 pikë).
    • Garuesi do të sigurojë mjete financiare shtesë përtej bashkëfinancimit të detyrueshëm nga burime të veta ose të tjera (5 pikë).
  6. Rrjetëzimi, promovimi dhe qëndrueshmëria – 10 pikë
    • Garuesi shpjegon në mënyrë bindëse dhe me informacion të mjaftueshëm qëndrueshmërinë e aktiviteteve të laboratorit për hulumtim, krijim dhe inovacion pas përfundimit të projektit.
    • Aktivitetet e rrjetëzimit dhe promovimit janë të përshtatshme me objektivat e përcaktuara të projektit dhe grupet e synuara të identifikuara.
    • Garuesi ka paraqitur Marëveshje, Letra bashkëpunimi dhe/ose Letra shprehje interesi për ofrimin e mbështetjes financiare/in kind/teknike nga shoqëri tregtare, donatorë, shoqata biznesi, shoqata dhe fondacione të tjera, institucione arsimore etj.

Për t’u paraqitur në sfidë, çdo garues duhet të paraqesë dokumentet e mëposhtme:

  • Aplikacion projekti të plotësuar, nënshkruar dhe të printuar në formën e përcaktuar nga Fondi, të skanuar në format PDF;
  • Buxhet të projektit – të plotësuar, nënshkruar dhe të printuar në formën e përcaktuar nga Fondi, të skanuar në format PDF;
  • Marrëveshje, letra bashkëpunimi dhe letra që shprehin interesin për ofrimin e mbështetjes financiare/in kind/teknike nga shoqëri tregtare, donatorë, shoqata biznesi, shoqata dhe fondacione të tjera, institucione arsimore etj.;
  • Në rast se ambientet e laboratorit të prodhimit nuk janë në pronësi të garuesit, garuesi detyrimisht duhet të paraqesë një Marrëveshje ose Letër shprehje interesi për dhënien e ambienteve për nevojat e projektit nga një institucion i arsimit të lartë/hulumtues

Formularët për Aplikacionin e Projektit dhe Buxhetit të Projektit janë në dispozicion dhe mund të shkarkohen nga faqja e internetit të Fondit nëpërmjet butonit “SHKARKO DOKUMENTACIONIN”.

Dorëzimi i Aplikacionit të Projektit bëhet duke plotësuar të dhënat bazë dhe duke bashkëngjitur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm nëpërmjet butonit “APLIKO”.

Fondi rezervon të drejtën të kërkojë dokumentacion shtesë nga garuesi në të gjitha fazat e procedurës. Garuesi është i detyruar të dorëzojë dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të caktuar nga Fondi.

Afati për dorëzimin e projekt propozimeve zgjat deri më 31.10.2022 ora 14:00.

Për dhënien e shpërblimeve do të merren parasysh vetëm ato projekt propozime që janë plotësuar në formularët e specifikuar për këtë sfidë nga Fondi, që janë të paraqitura në mënyrën e mësipërme dhe brenda afatit të caktuar.

Rregullat dhe procedurat për zbatimin, monitorimin dhe mbikëqyrjen e projektit përcaktohen në dokumentin Rregullat për organizimin dhe zbatimin e garave apo sfidave për nxitjen e inovacionit në fushat prioritare të shkencës dhe teknologjisë.

 

Për të gjitha informatat shtesë mund të na shkruani në adresën e emailit: fondzamladi@fitr.mk.

Për t’ju ndihmuar në përgatitjen e projekt propozimeve, Fondi do të organizojë evente informuese gjatë kohëzgjatjes së thirrjes. Informacionet për këto aktivitete do të publikohet në kohën e duhur në faqen e internetit të Fondit dhe në mediat sociale.