FIZHT me thirrje të re publike për grante të bashkëfinancuara për zhvillim teknologjik për rritje të përshpejtuar ekonomike - gjithsej 6 milionë euro për të mbështetur kompanitë vendase

Fondi i Inovacioneve dhe i Zhvillimit Teknologjik shpalli sot thirrjen e parë publike për këtë vit, e cila në total prej 6 milionë eurosh vendosen në dispozicion për të mbështetur kompanitë vendore, përmes thirrjes publike për grante të bashkëfinancuara për kompanitë mikro, të vogla dhe të mesme për zhvillim teknologjik dhe rritje të përshpejtuar ekonomike.

Qëllimi  i thirrjes publike është të mbështeten kompanitë vendore për të krijuar kushte për tejkalimin e pasojave të krizës ekonomike, të arrijnë rritje të përshpejtuar, ta rrisin konkurrencën e tregjeve ndërkombëtare dhe rezistencën e krizave të pandemisë dhe të klimës nëpërmjet aplikimit të teknologjive të reja, inovative, të avancuara, “gjelbra” dhe digjitale për transformimin e tyre.

Për sa i përket aktiviteteve që ne mbështesim me këtë thirrje publike, lista nuk është e kufizuar dhe është në dispozicion në faqen e internetit të Fondit, disa prej tyre janë: furnizimi dhe aplikimi i teknologjive të reja, inovative, të avancuara, të gjelbra dhe digjitale për transformimin e prodhimit dhe proceset e biznesit, zhvillimin dhe vendosjen e proceseve dhe të standardeve të reja më ekologjike për prodhim dhe funksionim, duke përmirësuar produktivitetin dhe efikasitetin e prodhimit dhe/ose proceseve të biznesit.

“Fondi vazhdon të jetë një institucion lider që mbështet maksimalisht të gjitha kompanitë mikro, të vogla, të mesme, start-up dhe spin-off në vend, si dhe një partner i vërtetë në të gjithë procesin që nga fillimi i një ideje biznesi deri tek fillimi i një biznesi të tyre. Fondi deri më tani ka mbështetur mbi 800 projekte me një vëllim të përgjithshëm mbi 100 milionë euro investime të përbashkëta. Por Fondi nuk ndalon këtu, ne vazhdojmë të punojmë në mënyrë aktive për të krijuar kushte të favorshme për zhvillimin e historive të suksesshme sipërmarrëse që do të jenë shembull dhe krenari e vërtetë e vendit tonë”, tha Festim Halili, drejtor i Fondit të Inovacioneve dhe të Zhvillimit Teknologjik.

Nga buxheti i përgjithshëm që është në dispozicion për këtë thirrje, mikro kompanitë mund të aplikojnë për mbështetje deri në 2,5 milionë denarë, ndërsa ato të vogla deri në 5 milionë denarë, gjegjësisht deri në 70% të vlerës së përgjithshme buxhetore për projekte investive. Kompanitë e mesme mund të marrin mbështetje deri në 10 milionë denarë ose deri në 60% të vlerës së projektit. Shpenzimet e pranueshme do të jenë pagat bruto për punonjësit, shpenzimet për mbështetjen teknike, kërkimin, zhvillimin, digjitalizimin, furnizimin dhe dhënien me qira të pajisjeve, softuerëve, mjeteve të TIK-ut apo lëndëve të para, por edhe shpenzimet që lidhen me realizimin e planit të zhvillimit teknologjik të kompanisë.

Kthimi i mbështetjes financiare të dhënë nga Fondi bëhet në masën 7.5% të fitimit operativ të përfituesit, deri në kthimin prej 105% të shumës së paguar nga Fondi ose për një periudhë 5-vjeçare pas përfundimit të projektit, në varësi se cili kusht plotësohet fillimisht.

Një pjesë e kushteve që duhet të plotësojë aplikuesi janë: aplikuesi të mos jetë i lidhur me një kompani tjetër apo institucion shëndetësor privat, të ardhurat vjetore të të cilit i kalojnë 10 milionë euro dhe numri mesatar i të punësuarve nuk i kalon 250 nga vitet e mëparshme fiskale, nuk ka detyrime të papaguara dhe të pashlyera me më shumë se 90 ditë vonesë ndaj institucioneve financiare, që nga shkurti 2020 dhe për të përmbushur kushtet e Ligjit të Kontrollit të Ndihmës Shtetërore dhe për të njëjtin projekt të mos ketë marrë ndihmë financiare nga një institucion tjetër shtetëror.

Gjatë vlerësimit të projekteve, kriteri i ndikimit në zhvillimin ekonomik (45 pikë) sjell numrin më të madh të pikëve, pastaj progresi teknologjik dhe shkalla e digjitalizimit (35 pikë) dhe cilësia e projektit dhe kapaciteti i ekipit të projektit do të vlerësohen me nga 10 pikë secila. Përparësi në vlerësimin e projekteve do t’u jepet kompanive që kanë gra menaxhere dhe/ose pronare, projekteve nga rajone më pak të zhvilluara dhe kompanive që në ekipin e projektit kanë përfshirë të paktën një docent, një profesor me korrespondencë ose të rregullt dhe/ose doktorant që do të jetë i përfshirë në projekt. Qëllimi është inkurajimi i sipërmarrjes së grave, zhvillimi i balancuar rajonal dhe stimujt për bashkëpunim më të madh me përfaqësuesit e institucioneve të arsimit të lartë.

Thirrja publike për grante të bashkëfinancuara për kompanitë mikro, të vogla dhe të mesme për zhvillim teknologjik për rritje të përshpejtuar ekonomike është e hapur deri më 15.6.2022 dhe kompanitë mund të aplikojnë në mënyrë elektronike. Më shumë informacione rreth thirrjes mund të gjeni në: fitr.mk/забрзан-раст-2.